L O A D I N G

Formimi Intelektual

“Nëna e Këshillit të Mirë”
Seminari / Prifti Dioqezan

Formimi Intelektual

  • Puna kryesore në vitet e seminarit është studimi i Filozofisë dhe i Teologjisë në perspektivën baritore të ungjillëzimit të ri të popullit shqiptarë. Ky angazhim i gjatë studimi do të ketë sigurisht momentet e tij të sakrificës; mund të bëhet  kështu një rrugë konkrete asketizmi që i afron seminaristët me të gjithë ata që fitojnë bukën me djersën e ballit . Është kjo një mënyrë  për të dhënë shembull të mirë dhe për t’u ushtruar në mundimet e jetës së ardhshme .

    Në seminar nuk studiohet  për vetveten , për të fituar një pushtet apo një favor apo për t’u ngritur në nivelin shoqëror. Edhe përgatitja intelektuale është e orientuar në apostulatin e ardhëm e tashmë në vetvete kuptohet si një shërbim baritor.

    Nga rrethanat aktuale të botës dhe të kishës është e domosdoshme që seminaristët të përgatiten cilësisht edhe në aspektin intelektual të sotëm në përmasat e ndryshme të tij , që të mund të  japin pastaj kontributin e tyre në ndërtimin e një shoqërie vërtetë njerëzore dhe të një bashkësie vërtetë të krishtere (Kan. 248) . Duke arritur me shpirt të sinqertë apostolik, seminaristët duhet të ndiejnë përgjegjësinë e madhe të një përgatitje kulturore  teologjike që do të jetë një ndihmesë e madhe në zhvillimin e Kishës në të ardhmen e afërt të Shqipërisë. Jo të  gjithë janë  të ftuar të angazhojnë gjithë mundësitë e tyre . Pamundësia e ndjekjes së studimeve të kërkuara përbën një shenjë objektive të mungesës së hireve të domosdoshme për mbarështimin meshtarak , në Kishën e sotme që kërkon këto studime.

    Para se të fillojnë studimet e vërteta të seminarit të lartë , seminaristët duhet të kenë përfunduar               << shkollën e mesme të përgjithshme >> me diplomën përkatëse ( khr. Kan 234,2). Atyre që hyjnë në seminar pas një titulli të tillë , normalisht do t’i kërkohet së paku dhe një vit studim për të fituar dijet gjuhësore të domosdoshme për studimet e ardhshme .

    Mbi bazën e kësaj përgatitje të përgjithshme seminaristët do të ndjekin shkollën e studimeve të Larta të Filozofisë e Teologjisë, program i së cilës siç parashikohet nga rregulloret e Kishës, është i shpërndarë në dy cikle: Filozofik e Teologjik .

    Cikli i parë (normalisht dy vjeçar ) karakterizohet prej kursesh kryesisht filozofike, por përfshin edhe kurse të hyrjes në Shkrimin Shenjtë dhe në Teologji, të historisë së  Kishës, të  psikologjisë dhe rikuperim të disa njohurive themelore në fushën historike dhe gjuhësore (si për gjuhët e vjetra  ashtu edhe për ato moderne) të domosdoshme dhe për kurset kryesore.

    Cikli i dytë  ( tre vite bazë dhe një vit kursesh të shkurtra të orientuara veçanërisht për punë baritore) është vërtetë  teologjik. Në të jepet hapësirë e gjerë Shkrimit Shenjtë  dhe studimit teologjik në mënyrë sistematike (dogmatik dhe moral), duke i dhënë  hapësirën e duhur Liturgjisë, të Drejtës Kanonike dhe diskutimit të disa fenomeneve fetare të botës  së sotme.

    << Formimi intelektual teologjik dhe jeta shpirtërore, në veçanti jeta e lutjes, takohen dhe forcohen me njëri -tjetrin, pa i hequr asgjë  as seriozitetit të kërkimit dhe as shijes shpirtërore të lutjes >>  ( PDV 53).Thirrja e dritës së Shpirtit  Shenjtë  në lutje, do të ndihmojë  shumë për të ruajtur qëllimin e drejtë në studime dhe një  angazhim maksimal në punë, duke kërkuar të bashkojë shkencën njerëzore dhe dijen shpirtërore .